Nëse keni nevojë për ndihmë juridike si i dyshuar ose person i akuzuar në procedurat penale dhe nuk keni mundësinë materiale për të angazhuar një avokat, ju mund të fitoni të drejtën për ndihmë juridike falas nën disa kushte të parashikuara me Ligjin për procedurë penale.
Ligji për procedurë penale parashikon disa rrethana në të cilat për shkak të peshës së akuzës, rëndësisë së një veprimi të caktuar ose për shkak të ndonjë rrethane tjetër është e nevojshme që personi të ketë një mbrojtës. Në ato raste, nëse personi nuk angazhon një mbrojtës të zgjedhur prej tij, gjykata do t’i caktojë një mbrojtës “sipas detyrës zyrtare”.
Mbrojtësi sipas detyrës zyrtare caktohet në rastet e mëposhtme:
-
- Nëse i akuzuari është memec, i shurdhër ose i paaftë për të mbrojtur veten me sukses, ose, nëse po zhvillohet procedurë penale kundër tij për një krim për të cilin ligji parashikon burgim të përjetshëm, ai duhet të ketë një mbrojtës që në ekzaminimin e parë.
- I akuzuari duhet të ketë një mbrojtës nëse kundër tij është caktuar paraburgim, gjatë gjithë kohëzgjatjes së paraburgimit.
- Pas ngritjes së aktakuzës për shkak të veprës penale për të cilën ligji parashikon një dënim me burgim prej dhjetë vjetësh ose një dënim më të rëndë me burg, i akuzuari duhet të ketë një mbrojtës në kohën e dorëzimit të aktakuzës.
- Gjatë procedurës për negociata dhe marrëveshje me prokurorin për pranimin e fajit, i akuzuari duhet të ketë një mbrojtës.
- I akuzuari që po gjykohet në mungesë duhet të ketë një mbrojtës menjëherë pas aktvendimit të miratuar për gjykim në mungesë.
Shteti merr përsipër detyrimin për të paguar paraprakisht për këta mbrojtës, por këto shpenzime, si rregull, megjithatë bien në barrë të të dënuarit në fund të procedurës, përveç nëse ai nuk e bind gjykatën se, pagesa e shpenzimeve të tilla do të rrezikojë mirëmbajtjen e tij ose mirëmbajtjen e familjes së tij.
Gjykata ka mundësinë që, kur nuk plotësohen kushtet për mbrojtje të detyrueshme, me kërkesë të të akuzuarit, t’i caktojë një mbrojtës në kurriz të shtetit, nëse në bazë të gjendjes së tij pronësore ai nuk mund të përballojë shpenzimet e mbrojtjes, ndërsa “interesat e drejtësisë” kërkojnë që këta qytetarë të fitojnë mbrojtës.
Kushtet që duhet të plotësohen që të mund të caktohet një mbrojtës në kurriz të shtetit janë:
-
- Kur këtë e kërkojnë interesat e drejtësisë në lidhje me peshën e krimit, gjegjësisht seriozitetin e tij dhe ashpërsinë e dënimit të paraparë, në atë kuptim, duhet të merren parasysh dënimi maksimal i mundshëm dhe sanksioni real i pritshëm në rastin konkret. Për më tepër, kompleksiteti i rastit konkret luan një rol të rëndësishëm. Mund të bëhet fjalë për kompleksitet edhe të çështjeve faktike dhe juridike, por çështjet juridike shfaqen më shpesh si një arsye për të konsideruar se, i akuzuari nuk do të jetë në gjendje të mbrojë veten me sukses pa mbrojtës.
- Kur, sipas gjendjes pronësore të të akuzuarit, nuk mund t’i përballojë shpenzimet e mbrojtjes.
Sipas kërkesën për mbrojtës në kurriz të shtetit vendos gjyqtari në procedurën paraprake, gjegjësisht kryetari i këshillit, ndërsa mbrojtësin e cakton kryetari i gjykatës. Në kërkesë, i akuzuari mund të caktojë një avokat për mbrojtës nga lista e avokatëve nga bashkësia përkatëse e avokaturës. Shpenzimet për mbrojtjen e këtij neni bien në barrë të Buxhetit të Republikës së Maqedonisë së Veriut.